Një autobus që udhëtonte nga kufiri Ugandë-Kenia për në kryeqytetin kenian Najrobi u përfshi në një aksident të shtunën mbrëma, duke vrarë 21 persona, konfirmoi policia në Ugandë dhe Kenia të dielën.
Aksidenti ndodhi rreth 3 kilometra nga qyteti kufitar Lwakhakha, i cili shtrihet në të dy vendet.
Komandanti i policisë së Lwakhakha në Ugandë Moses Mulalira Mule tha për Anadolu Agency se shumica e njerëzve në autobus ishin ugandas që kishin hipur në autobus për të udhëtuar në Najrobi.
Ai tha se nxitoi në vendin e ngjarjes dhe pa se autobusi ishte përmbysur me disa njerëz ende të gjallë dhe trupa të pajetë të bllokuar brenda. Ai tha se në kohën kur ai u largua, disa trupa të pajetë ishin hequr dhe përpjekjet për të hequr të tjerët ishin duke vazhduar.
Rrjeti radiofonik i Ugandës ka cituar Patrict Kitau, komandantin e policisë së distriktit Bungoma në Kenia, duke thënë se përplasja ka ndodhur rreth orës 20:00 (17:00 GMT) të shtunën në Lwakhakha, anën keniane, 3 kilometra nga kufiri Ugandë-Kenia.
Sipas Kitau, autobusi, që i përkiste kompanisë së autobusëve Najrobi, po udhëtonte nga Lwakhaka në Najrobi, i cili doli nga rruga dhe u përmbys disa herë.
Ai tha se nga hetimet paraprake rezultoi se shkaku i aksidentit ishte shpejtësia e lartë.
Kitau tha gjithashtu se ata po përcaktojnë identitetin e viktimave të aksidentit të vdekur, por konfirmoi se shumica e tyre janë shtetas të Ugandës.
Trupat aktualisht ndodhen në morgjet e spitalit Chepteyis dhe Lwandanyi, për t'u identifikuar nga të afërmit e tyre, ndërsa të plagosurit po marrin trajtim në të njëjtat spitale, shtoi ai.
Sipas një dëshmitari okular, autobusi po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe doli nga rruga.