Presidenti i kapur nigerian, Mohamed Bazoumi, ka bërë zotimin nëpërmjet Twitterit se demokracia do të mbizotërojë, një ditë pasi pjesëtarë të ushtrisë e arrestuan dhe e shpallën marrjen e pushtetit në grusht shtetin që e përkeqësoi gjendjen e sigurisë në shtetin e Afrikës Perëndimore.
Pjesëtarët e ushtrisë e shpallën të mërkurën vonë nisjen e grusht shtetit nëpërmjet transmetimit në televizionin kombëtar, tek njoftuan për pezullimin e të gjitha institucioneve dhe mbylljen e kufijve të vendit.
E përderisa të enjten qytetarët në kryeqytetin Niamey i vazhduan punët sikurse zakonisht, mbetet e paqartë se kush e kontrollon vendin dhe cilën palë mund ta mbështesë shumica.
Nëpërmjet një postimi në Twitter nga llogaria e komandës ushtarake u bë e ditur mbështetja për grusht shtetin me qëllim të shmangies së “një konfrontimi vdekjeprurës” që do të shpinte në gjakderdhje.
Por vërtetësia e këtij postimi nuk ka mundur të konfirmohej.
Ndërkaq sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nëpërmjet një bisede telefonike, i ka ofruar presidentit Bazoumi “mbështetjen e palëkundur” të Washingtonit, teksa nga OKB-ja dhe Bashkimi Evropian kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të presidentit.