Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

Afrika

Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 13:30
Një marsh i thirrur nga përkrahësit e liderit të puçit, gjeneralit Abdourahmane Tchiani në Niamey, Niger, më 30 korrik, 2023.

Qytetarët e huaj pritën në radhë në aeroportin e Nigerit të mërkurën në mëngjes për fluturimin e tretë të evakuimit, pas puçit në vendin e Afrikës Perëndimore.

Forcat franceze në kryeqytet, Niamey, i evakuuan qindra të huaj, kryesisht francezë, drejt Parisit me dy aeroplanë të martën, pas shqetësimeve se qytetarët e tyre dhe evropianët e tjerë rrezikojnë të ngujohen nga grusht shteti ushtarak i javës së kaluar, në të cilin u rrëzua dhe arrestuar presidenti Mohamed Bazoum.

Franca, Italia dhe Spanja njoftuan se po i evakuojnë qytetarët e vet dhe evropianët e tjerë nga Nigeri.

Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar nëse do t’i evakuojnë qytetarët e vet, por disa amerikanë janë larguar me ndihem e shteteve evropiane tashmë.

Një aeroplan ushtarak italian ateroi në Romë të mërkurën me 99 udhëtarë, përfshirë 21 amerikanë dhe civilë nga vendet e tjera, tha Ministria e Mbrojtjes e Italisë.

Dy aeroplanët e parë që ateruan në Paris gjatë natës kishin 12 foshnje, në mesin e 262 udhëtarëve në bord, shumica e të cilëve francezë. Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se në mesin e të evakuarëve kishte edhe qytetarë nga Nigeri, Portugalia, Belgjika, Etiopia dhe Libani.

Të dielën, blloku rajonal i vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, tha se do ta përdorë forcën kundër juntës së Nigerit, nëse ajo nuk e liron dhe rikthen në pushtet presidentin e vendit brenda një jave. Por, kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Mali, Burkina Faso dhe Guineja, të cilat udhëhiqen nga ushtarët kryengritës që i rrëzuan qeveritë e tyre.

Liderët e Malit dhe Burkina Fasos thanë se ndërhyrja ushtarake në Nigerit “do të nënkuptonte shpallje të luftës” kundër tyre.

Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se sekretari i tyre Antony Blinken foli me presidentin Bazoum dhe e theksoi se SHBA-ja e kundërshton çdo përpjekje për ta prishur rendin kushtetues, dhe se ajo e përkrah popullin e Nigerit, ECOWAS-in, si dhe Unionin Afrikan dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të qeverisjes demokratike dhe respektimit të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat