Një nga figurat organizatore të protestave kundër taksave në Kenia, Boniface Mwangi, shihej sot i prangosur duke u shoqëruar në një stacion policie, edhe pse i lumtur pas tërheqjes së qeverisë nga planet e tyre prej protestave masive.
Presidenca e Kenias tha sot se tërhiqet nga planet e ngritjes masive të taksave, duke bërë amendime në ligjin e kontestuar që shkaktoi protestat me përplasje e arrestime të shumta.
Vendi i fuqishëm i Afrikës lindore është në krizë të kostove të jetesës dhe kritikët lajmëronin se ngritja e taksave vetëm do të përkeqësonte situatën.
Edhe sot mijëra protestues ishin mbledhur pranë parlamentit ku policia përdori gaz lotsjellës dhe bëri arrestime, sipas mediave vendase dhe rrjetit AFP.
Pak më vonë presidenca njoftoi se po anulonte pjesën më të madhe të neneve të ligjit, duke përfshirë dhe “taksën mbi blerjen e bukës” dhe të “pronësisë së makinës.”
“Ligji i Financave është amenduar pë të hequr taksën e propozuar të bukës, transportit të sheqerit, shërbimeve financiare, transaksioneve valutore dhe taksën 2.5 përqind të automjetit”, thuhej në deklaratë.
Ligji shkaktoi zemërim të gjerë mes kenianëve që u ngritën sot në protestën e titulluar “Pushto Parlamentin”.
“Kam ardhur të luftoj për të ardhmen time,” tha protestuesi 23-vjeçar Wangari, për rrjetin AFP.
“Me këto taksa e këtë shfrytëzim unë nuk mund të ndërtoj një jetë. Ata po vështirësojnë gjithçka për ne, ne që nuk jemi pjesë e ‘1 përqindëshit’”, shtoi i riu.
Mendimet e saj mbështetësin dhe nga 29-vjeçarja Rara Eisa e cila tha se ishte hera e parë që protestonte.
“Jam e lodhur nga kjo situatë, çmimet ngrihen kudo, jeta është tashmë e papërballueshme dhe taksat nuk na lënë të marrim frymë”, tha gruaja, për AFP.