Disa nxënës të shkollave të mesme kanë humbur jetën në Nigerinë qendrore të premten kur një ndërtesë shkolle u shemb teksa po ndiqnin mësimet, sipas shërbimeve të urgjencës të vendit.
Rasti ka ndodhur në shkollën Saint Academy, në qytetin Jos. Shirat e dendura kanë goditur Jos ditëve të fundit, dhe më shumë stuhi dhe reshje priten në javën e ardhshme.
Një dëshmitar okular, Hosea Donald, 41-vjeç, tha se ai dhe kalimtarët e tjerë kishin nxjerrë trupat e tetë nxënësve që vdiqën nga shembja dhe se rrugët e dëmtuara po e bënin vendin të vështirë për t'u arritur për ambulanca.
"Unë njoh gjashtë njerëz që ishin në shkollë këtë mëngjes dhe kam dëgjuar vetëm nga dy," tha Rejoice Pamju, 21-vjeç, pasi u kthye në shtëpi nga ndërtesa e shembur.
Eugene Nyelon, zyrtar i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave, nuk pranoi të jepte një numër të saktë të viktimave apo personave të mbetur nën rrënoja, duke thënë se operacioni i shpëtimit ishte në vazhdim.
Dorcas Ison, një punonjës i kujdesit shëndetësor në Spitalin Shtetëror Plateau, tha se 10 persona ishin shpallur të vdekur në spital dhe 10 persona po merrnin trajtim qe nga mbrëmja e së premtes.
Nigeria ka numrin më të madh të shembjeve të ndërtesave në kontinent, sipas Farouk Salim, drejtori i përgjithshëm i agjencisë rregullatore publike të vendit. Më shumë se 220 ndërtesa u regjistruan të jenë shembur gjatë katër dekadave të fundit, me 60 për qind të incidenteve në Lagos.
Shkaqet e shembjeve janë materiali ndërtimor me cilësi të ulët, testimi i dobët i tokës gjatë ndërtimit, si dhe mbikëqyrja dhe mirëmbajtja e dobët, thonë ekspertët e repartit dhe të tjerë të ndërtimit.