Të paktën 49 njerëz janë vrarë dhe mijëra janë zhvendosur në Nigeri pas shirave të dendur që shkaktuan përmbytje në verilindje të vendit, tha të hënën Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave.
Tre shtete në verilindje, Jigawa, Adamawa dhe Taraba, janë goditur rëndë nga përmbytjet, me 41,344 persona të zhvendosur, tha zëdhënësi i NEMA, Manzo Ezekiel.
Në vitin 2022, Nigeria përjetoi përmbytjen e saj më të keqe në më shumë se një dekadë, e cila vrau më shumë se 600 njerëz, zhvendosi rreth 1.4 milion dhe shkatërroi 440,000 hektarë tokë bujqësore.
“Ne sapo po hyjmë në kulmin e sezonit, veçanërisht në pjesën veriore të vendit dhe situata është shumë e rëndë”, tha Ezekiel për Reuters.
Përmbytjet kanë shkatërruar gjithashtu toka bujqësore duke prekur rreth 693 hektarë tokë bujqësore. Nigeria po lufton me inflacionin dyshifror, i cili është nxitur nga çmimet e larta të ushqimeve.
Shirat e dendur kanë shtuar problemet në sektorin e bujqësisë ku fermerët po braktisin fermat e tyre në verilindje për shkak të sulmeve të përsëritura nga militantët, shkruan Reuters.