E bija e ish-presidentit afrikano-jugor Jacob Zuma dhe mbreti tribal i rajonit vendas Eswatini, i njohur ndryshe si Swaziland, janë fejuar dje në një ceremoni tradicionale, në të cilën Nomcebo Zuma ishte mes dhjetra grave e vajzave që kërcenin për monarkun e fiseve aborigjene.
21 vjeçarja Zuma, shihej dje në kërcimin e përvitshëm ‘të kallamave’, që kryhet nga e fejuara apo bashkëshortja e mbretit, e cila bëhet tashmë gruaja e 16 e Mswati III, shkruan rrjeti britanik The Guardian.
Mbreti 56-vjeçar drejton monarkinë absolute afrikane që prej vitit 1986, pak pasi mbushi 18 vjeç, ndërsa kritikohet për stilin luksoz të jetesës teksa popullata e tij jeton në varfëri.
Gjatë valleve disa-ditore të kallamave, gratë e reja kërcejnë e këndojnë të zhveshura nga mesi e lart, me veshje e zbukurime tradicionale, nganjëherë me imitime shpatash e mburojash.
Ceremonia e njohur ndryshe si ‘Umhlanga’, konsiderohet si një nga shembujt më të mirë të kulturës së Eswatini, ndërsa rreth 5,000 njerëz morën pjesë në celebrimet e sivjetshme.
Kjo nuk është hera e parë që mbreti Mswati, i cili ka dhjetra fëmijë, njofton marrjen e një nuseje të re në ceremoninë e Umhlanga. Në shtator 2005, 17-vjeçarja Phindile Nkambule u prezantua si e fejuar e tij e 13-të gjatë ceremonisë.
Edhe nusja e tij e fundit vjen nga familje me shumë gra, teksa Jacob Zuma, është martuar gjashtë herë dhe ka aktualisht katër gra e rreth 20 fëmijë.
Ai ka qenë president i Afrikës së Jugut nga viti 2009-18, deri kur u detyrua të dorëhiqej pas një serie akuzash korrupsioni.