​Sudani refuzon thirrjen e OKB-së për forcë paqeje për të mbrojtur civilët

Afrika

​Sudani refuzon thirrjen e OKB-së për forcë paqeje për të mbrojtur civilët

Më: 8 shtator 2024 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Qeveria e udhëhequr nga ushtria e Sudanit ka refuzuar thirrjen e një misioni fakt-mbledhës të OKB-së për vendosjen e një force ndërkombëtare për të mbrojtur civilët nga lufta civile e vazhdueshme e vendit.

Palët ndërluftuese të Sudanit kishin kryer shkelje "rrëqethëse" të të drejtave të njeriut kundër civilëve, njoftoi misioni i OKB-së.

Mijëra njerëz janë vrarë dhe gati tetë milionë janë zhvendosur që nga shpërthimi i konfliktit në prill 2023 midis ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF). Të dyja së bashku kishin organizuar një grusht-shteti, por më pas u përplasën, duke e zhytur Sudanin në një luftë civile.

“Duke pasur parasysh dështimin e palëve ndërluftuese për të kursyer civilët, është e domosdoshme që një forcë e pavarur dhe e paanshme me mandat për të mbrojtur civilët të vendoset pa vonesë”, tha kreu i misionit të OKB-së, Chande Othman.

Misioni fakt-mbledhës bëri thirrje gjithashtu për vendosjen e një embargoje armësh për palët e përfshira në konflikt. Ai raportoi gjetjet e tij pasi mori dëshmi të dorës së parë nga 182 të mbijetuar, anëtarë të familjes dhe dëshmitarë okularë.

Emiratet e Bashkuara Arabe akuzohen se mbështesin RSF-në me para dhe armë - gjë që e mohon - ndërsa Arabia Saudite thuhet se ka lidhje të ngushta me qeverinë sudaneze. Ministria e Jashtme e Sudanit tha se qeveria hodhi poshtë rekomandimet e misionit fakt-mbledhës në "tërësinë" e tyre.

Ndërkohë, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus i bëri thirrje "botës të ndihmojë Sudanin të dalë nga makthi që po përjeton".

"Shkalla e emergjencës është tronditëse, ashtu si edhe veprimi i pamjaftueshëm që po ndërmerret për të kufizuar konfliktin dhe për t'iu përgjigjur vuajtjeve që ai po shkakton," tha ai.

Përpjekje të ndryshme ndërmjetësimi nga Arabia Saudite dhe SHBA, kanë dështuar për t'i dhënë fund konfliktit. /BBC

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat