Një sulm me lëndë plasëse nga një bandë kriminale ka vrarë 12 persona dhe ka plagosur të paktën 6 të tjerë në shtetin Zamfara në veriperëndim të Nigerisë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Bandat e armatosura kanë shtuar sulmet e tyre në Nigerinë veriperëndimore, duke iu drejtuar kohët e fundit vendosjes së mjeteve shpërthyese përgjatë rrugëve kryesore, duke kërkuar të shkaktojnë sa më shumë viktima.
Dy dëshmitarë okularë, Belo Dansado dhe Abubakar Ismail, i thanë Reuters se të paktën 12 persona u vranë dhe 6 të tjerë u plagosën kur automjeti me të cilin po udhëtonin shpërtheu.
Nënkoloneli Abubakar Abdullahi, një zëdhënës i forcës ushtarake tha se ekspertët kishin për detyrë të çaktivizonin çdo eksploziv të mbetur në zonë. Ai u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Për vite me radhë, njerëzit e Nigerisë veriperëndimore janë përballur me sulme nga bandat dhe xhihadistët që plaçkitin, vrasin dhe rrëmbejnë për shpërblim.