Kombet e Bashkuara thonë se epidemia e sëmundjes HIV/AIDS mund të përfundojë deri në vitin 2030. Pacientët, megjithatë, duhet të ndjekin protokollin e trajtimit për ta mbajtur nën kontroll virusin.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Johanesburgu, Zaheer Cassim në Afrikën e Jugut është hartuar një metodë e re përmes lojërave për t’i ndihmuar njerëzit t’i përmbahen protokolleve të trajtimit kundër HIV-it.
Punonjësja e shërbimeve sociale fton pjesëmarrësit të fillojnë lojën.
“Ky është trupi im, pa HIV, pa infeksion. Kjo është qeliza ime e bardhë”, fillon lojën zonja Thandeke Nene.
Loja vazhdon duke treguar se si qeliza e bardhë e gjakut hyn në rreth dhe ttegon muskujt. Por, kur HIV hyn në trup, qeliza paralizohet dhe nuk mund të luftojë infeksionin derisa ilaçet antiretrovirale të vijnë për ta ndihmuar.
“Duket si lojë, por është shumë serioze, sepse tani e di se cili është ndryshimi midis një virusi dhe pasojave të tij”, thotë pjesëmarrësi Joseph Ntshiaingila.
Ky program drejtohet nga Komuniteti i Rrjetit për HIV dhe AIDS të Afrikës Jugore (NACOSA). Në fillim të këtij viti, ekipi i NACOSA-s përfundoi kursin “Urat e Shpresës” ku ata mësuan se si të përdorin lojëra të tilla për t’i mësuar njerëzit për rëndësinë e ndjekjes së protokolleve të trajtimit kundër HIV-it.
Një studim mbi këtë sëmundje në një gazetë mjekësore në Afrikën Jugore tregoi se lojërat janë më të mira se vizitat në shtëpi për t’i bindur pacientët të vazhdojnë kurën.
“Përmes pjesëmarrjes dhe lojërave është e lehtë të mbahet mend vazhdimi i terapisë sepse e gjitha është argëtuese dhe jo formale. Pra, kjo është një qasje ndryshe që funksionon”, thotë zonja Thandeke Nene, punonjëse e shërbimeve sociale.
Një nga trajnerët, Tshepo Sefome shfrytëzon lojërat për t’u treguar pjesëmarrësve se kur ke qëllime të qarta dhe mbështetjen e duhur të gjithë mund të arrijnë një të ardhme të shëndetshme.
“Nëse ky model shfrytëzohet në të gjithë botën, njerëzit do të mund të kuptonin gjërat më mirë dhe të kenë një perspektivë ndryshe mbi trajtimet dhe njerëzit që jetojnë me HIV”, thotë zoti Sefome.
Peter Labouchere është krijuesi i lojërave ‘Urat e Shpresës’.
Ai thotë se lojërat ofrojnë mënyra të ndryshme të të mësuarit dhe kjo shton gjasat që studentët t’i kujtojnë më mirë ato që mësojnë.
“Njerëzit kanë mënyra të ndryshme të preferuara të të mësuarit. Disa preferojnë mësimin përmes imazheve, disa përmes të dëgjuarit dhe disa përmes një aktiviteti konkret. Nëse i kombinojmë të tri mënyrat, kjo i përfshin të gjithë njerëzit”, thotë zoti Labouchere.
Kombet e Bashkuara synojnë të zhdukin AIDS-in deri në fund të kësaj dekade. Komuniteti NACOSA thonë se programe si të tilla mund të ndihmojnë për të siguruar që më shumë njerëz t’i përmbahen protokollit të trajtimit që shpëton jetë./VOA/