Ka vazhduar dhuna në Republikën Demokratike të Kongos në Afrikë, mes kryengritësve të `Lëvizjes M23` dhe forcave të vendit. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar për vrasjen e 13 paqeruajtësve, ndërsa protestuesit kanë vënë në shënjestër ambasadat e huaja.
Trembëdhjetë paqeruajtës nga Afrika e Jugut janë vrarë gjatë luftimeve me kryengritësit e njohur si M23 në Republikën Demokratike të Kongos.
Tre nga paqeruajtësit janë vra të hënën gjatë luftimeve në aeroportin në Goma derisa I katërti ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë luftimeve të enjten e kaluar. Kryengritësit M23 kanë thënë se kanë marrë nën kontroll aeroportin në Goma.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se nëpër rrugë ka trupa të njerëzve të vrarë dhe ka raportime për dhunime të kryera nga kryengritësit.
Në Republikën Demokratike të Kongos, përveç paqeruajtësve nga Afrika e Jugut, janë edhe ata nga Malawi dhe Uruguay.
Ndërkohë që në kryeqytetin Kinshasa në shënjestër të protestuesve ishin ambasadat e Ruandës Ugandës, Francës, Belgjikës, Holandës dhe SHBA-së. Disa nga objektet edhe janë plaçkitur. Policia ka hedhur gaze lotsjellës për t?I shpërnda protestuesit të cilët kishin ndezur goma dhe brohorisnin kundër kryengritësve M23.
Jean-Noel Barrot, ministër i Jashtëm i Francës e ka dënuar sulmin ndaj ambasadës së Francës në Kinshasa.
Pjesë të kryeqytetit janë të braktisura ndërsa shkollat e dyqanet janë mbyllur.
Kryengritësit e njohur si M23 apo Lëvizja e 23 Marsit është një nga rreth 100 grupe të armatosura që luftojnë kundër forcave kongoleze në pjesën lindore të Kongos e pasur me minerale. Është emëruar sipas datës së nënshkrimit të marrëveshjes së vitit 2009 mes Kongresit Kombëtar për Mbrojtjen e Popullit, grup kryengritës i prirë nga fisi Tutsi dhe qeverisë kongoleze për t’i dhënë fund revoltës të udhëhequr nga pjesëtarët Tutsi në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.