Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duhet të kërkojë falje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve, si kusht për të hyrë në territorin e Kosovës.
Ai ka thënë se pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, është hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.
Haradinaj ka thënë se e përkrahin fuqishëm vendimin e ministres së Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiqit në Kosovë.
Reagimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Nuk hyhet në Kosovë duke kaluar mbi varrezat masive e eshtrat e shqiptarëve të masakruar.
Ne nuk presim të ndiejnë dhembshuri krahët politik e ushtarak të kohës së Millosheviqit, ata që projektuan vrasjet, masakrat, gjenocidin në Kosovë e sot udhëheqin me shtetin që kreu krimin, por presim pranim e kërkimfalje për gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve .
Pranimi i fajit për krimet e gjenocidin, kërkimfalja, rikthimi i eshtrave i të të gjithë shqiptarëve të zhdukur në varrezat masive si dhe dorëzimi i kriminelëve serbë para drejtësisë, janë hapi i vetëm dhe i duhur që do të mund të siguronte një normalizim dhe lëvizje të lirë.
Andaj veprimi i Ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, për ndalimin e vizitës së Vuçiq dhe të tjerëve në Republikën e Kosovës është i drejtë dhe ne e përkrahim fuqishëm.
Kosova nuk do të lejojë shantazhet, provokimet dhe lojërat politike të atyre që ndihen krenarë për krimet e gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kjo nuk është rruga drejt normalizimit dhe paqes afatgjate.