Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se informacionet të cilat po qarkullojnë në media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.
Ai ka thënë se me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri dhe përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet, duke zhbllokur edhe çëshjtet komplekse siç është vazhdimi i dialogut me parime madje edhe për rimëkëmbjen ekonomike.
Më tutje ka shtuar se lidhur me zhvillimet e fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve, përcjell “Bota sot”.
Postimi i plotë:
Informacionet të cilat po qarkullojnë nëpër media për dorëheqjen time janë të pa vërteta.
Me veprimet e mia kam dëshmuar gatishmëri e përkushtim për të ofruar zgjidhje për të gjitha çështjet e ngritura, duke zhbllokuar madje edhe proceset komplekse nëpër të cilat ka kaluar vendi siç ishte vendimi për vazhdimin e dialogut me parime dhe arritja e marrëveshje së 4 shtatorit në Uashington, hartimi i pakos emergjente dhe asaj për rimëkëmbje ekonomike dhe masat konkrete në menaxhimin e pandemisë Covid -19.
Sa i përket zhvillimeve të fundit pas veprimeve të Dhomave të Specializuara dhe dorëheqjes së ish Presidentit Thaçi, e kam bërë të qartë se partitë parlamentare i kanë dy opsione, të gjejnë zgjidhje për çështjen e Presidentit ose të dakordohen për datën e zgjedhjeve. Por, asnjëherë në asnjë kontekst nuk e kam përmendur dorëheqjen si opsion.