Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se Kosova duhet ta ngris zërin pasi nuk ka asnjë shans që Gjykata Speciale të mbyllet pa u hetuar çdo masakër e kryer në Kosovë nga forcat serbe.
Sipas tij kjo mund të jetësohet, vetëm se kërkohet angazhim në shoqëri dhe pohon se ai do të qëndrojë çdoherë prapa kësaj teme.
”Përgjegjës i politikave të RTS-së në kohën e luftës ka qenë Aleksandër Vuçiq, sepse ka prodhuar lajme false dhe ka nxitur urrejtje, kriminelët i ka nxjerrë dhe po vazhdon t’i nxjerrë si heronj”.
Ai në televizionin publik ka shprehur pakënaqësinë ndaj Gjykatës Speciale meqë thotë se zëdhënësi i lirisë së Kosovës gjendet në Hagë, ndërsa zëdhënësit e krimit gjenocidial gjenden të lirë në Serbi.
”Pra, zëdhënësi i këtij televizioni famëkeq është president, ndërsa zëdhënësi i lirisë është në Hagë. Jakup Krasniqi i ka shërbyer një politike, zëdhënës i një populli çlirimtar që ka dashur vetëm lirinë, ndërsa Vuçiq e Daçiq kanë qenë zëdhënës të krimit e gjenocidit ndaj shqiptarëve”.
Tutje ish-komandant Çeliku ka shtuar se është krenar për periudhën që ka kaluar me ata njerëz që sot janë në Hagë dhe bashkë me ta ndjehen krenarë me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovën.
Sipas tij, sa herë që u bënë bashkë ka fituar Kosova.