Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë sot në përurimin e shtatores së presidentit Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kërkesa e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, dr. Ibrahim Rugova, përcjell Bota sot.
Hoti ka thënë se Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Kërkesa e kahmotshme e shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi u legalizua pikërisht nga LDK-ja dhe kryetari i saj i parë, dr. Ibrahim Rugova. Lidhja me botën perëndimore, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera të NATO-s rezultoi vendimtare për shpëtimin e popullit të Kosovës nga gjenocidi serb më 1998 dhe 1999.
Istogut sot po i kthehet simbolikisht në bronz djali i zgjedhur, të cilin ky qytet ia dha kombit, për ta shndërruar në prijës dhe burrështetas të parë të Republikës së Kosovës.