Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka njoftuar se që nga e hëna të gjithë punëtorët teknik dhe sigurimit fizik në qendrat spitalore do të protestojnë nga dy orë dhe nuk do të ofrojnë asnjë shërbim.
Në një konferencë për media, kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi tha se kjo protestë vije pas diskriminimit që iu është bërë nga shteti.
“Me prezencën e kryetarëve të shoqatave të punëtorëve teknik e atyre të sigurimit, u mor një vendim që neve na është imponuar për hir të një diskriminimi në raport me punëtorë. Që nga e hëna do të fillohet me protestë dy orëshe, nga 10-12 në të gjitha spitalet Qendrat e Mjekësisë dhe Ambulantat, nuk do të kryejmë asnjë shërbim. I qoftë për marre atyre që na kanë diskriminuar ashtu siç bënë nga viti 1990-99”, tha ai.
Po ashtu, ai njoftoi se mbi 30 për qind të punëtorëve janë të infektuar me COVID-19 e që shteti nuk i ka ndihmuar asgjë. Gjithashtu, Azemi u shpreh se nëse plotësohen kërkesat e tyre, ata nuk do të hyjnë në grevë.
“Nga java e dytë nëse s’përmbushen të drejtat tona ne do të jemi në grevë. Na vjen keq për pacientet. Mbi 30 për qind e punëtorëve i kemi njerëz të prekur me Covid-19 dhe shteti nuk i ndihmoj, por i sanksionoj. Nuk ka më lutje, por vetëm hapa konkret. Kemi të drejtën tonë ligjore që të futemi ne grevë dhe ta kryejmë të drejtën tonë”, shtoi Azemi.