Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami është shëruar nga Covid-19, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka njoftuar se ka pasur probleme shëndetësore dhe është trajtuar nga mjekët e Klinikës Infektive, të cilët i ka falënderuar për kujdesin.
Bajrami ka bërë të ditur se sot do ta vazhdojë aktivitetin politik dhe do të jetë e pranishme në seancën ku do të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ajo ka thënë se ligjet me rëndësi për jetën e gjithë qytetarëve duhet të na bashkojnë të gjithëve.
Postimi i saj i plotë:
Jam shëruar nga COVID-19. Kam pasur disa probleme shëndetësore dhe jam trajtuar nga mjekët e jashtëzakonshëm të Klinikës Infektive. I falënderoj gjithë mjekët që janë kujdesur për mua dhe që kujdesen për çdo ditë për qytetarët e Republikës.
Sot do të vazhdoj aktivitetin politik. Do të jem në seancën ku do të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike. Ligjet me rëndësi për jetën e gjithë qytetarëve duhet të na bashkojnë të gjithëve. E falënderoj secilën deputete dhe secilin deputet për votën që do ta japin sot.