Lëvizja Vetëvendosje sot ka dorëzuar mocion përmbajtjesor në lidhje me gjendjen në RTK dhe për shkarkimin e Bordit të drejtorëve të RTK-së.
“Mocion përmbajtjesor për shkarkimin e Bordit të RTK-së. Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizje VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për mocion përmbajtësor në lidhje me gjendjen në RTK dhe shkarkimin e Bordit të drejtorëve të RTK-së”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Sipas kësaj partie arsyet pse po kërkohet shkarkimi i Bordit të RTK-së është zgjedhja e kundërligjshme e Drejtorit të Përgjithshëm dhe sjellja joprofesionale e Bordit të RTK-së.
“Detyrë parësore e Bordit është të sigurojë mbarëvajtjen e RTK-së me përmbushjen e misionit të saj dhe me qendrueshmëri operative e financiare. Bordi i drejtorëve gjithashtu përzgjedh drejtorin e përgjithshëm, i cili menaxhon veprimtarinë e RTK-së. Zgjedhja e kundërligjshme e Drejtorit të Përgjithshëm nuk është shkelja e vetme dhe sjellja e vetme joprofesionale e Bordit të RTK-së. Prej emërimit, Bordi i tashëm ka dështuar rëndë të përmbush detyrat e veta dhe ka shkelur qartë dispozitat kyçe të Ligjit për RTK-në”, thuhet më tutje në njoftim.