Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se, përmes Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, do të reduktohet norma e TVSH-së për hotelerinë dhe gastronominë.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se, TVSH-ja për lëndën e parë dhe për transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi, do të largohet.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID-19. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për zbatimin e planit të rimëkëmbjes, fuqizimit të bizneseve dhe përmirësimit të situatës socio-ekonomike në vendin tonë.
– Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike do të kontribuojë në rritjen e kërkesës agregate përmes injektimit të parasë së gatshme në ekonomi.
– Projektligji përmirëson qasjen në financa me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët – përmes mbulimit të rrezikut kreditor dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës.
– Nëpërmjet këtij ligji reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi, largohet TVSh për lëndën e parë të prodhuar në Kosovë si dhe lirohen nga TVSh transaksionet e sigurimit dhe ri-sigurimit në bujqësi.
– Përmes këtij projektligji do të mbështeten qytetarët, bizneset, prodhimi, eksporti dhe përgjithësisht ekonomia e Republikës së Kosovës.