Pas triumfit të shënuar në zgjedhjet e 29 nëntorit, kandidati i VV-së, Shpejtim Bulliqi, të hënën, do të betohet si kryetari i Komunës së Podujevës.
Kështu ka bërë të ditur në një postim në Facebook shefi i grupit të këshilltarëve të VV-në në asamblenë komunale, Vendenis Lahu.
“Sot, në cilësinë e Shefit të Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes!, në orët e paraditës, pata disa konsulta me Kryesuesin e Kuvendit Komunal te Podujevës, me ç’rast u dakorduam në parim që, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, të thërrasim për ditën e hënë seancën solemne për dhënien e betimit nga Kryetari i ri i Komunës.
Pas certifikimit të rezultateve sot në mesditë, z.Bulliqi është edhe zyrtarisht Kryetar i Komunës së Podujevës. Në orët e pasditës, kryetari Bulliqi nënshkroi thirrjen e seancës solemne për dhënien e betimit. Seanca solemne ku do të japë betimin kryetari i ri, është caktuar për ditën e hënë, në ora 10:00”, ka shkruar ai.