Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur në zgjedhje një prej bastioneve të saj Podujevën dhe për këtë gazetarja ka pyetur kryeministrin Avdullah Hoti për qëndrimin e tij.
Hoti ka thënë se LDK ka kaluar shumë sfida në këto 30 vite si parti, ku sipas tij ka pasur barrë më të madhe në punën për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Kryeministri ka vijuar duke thënë se ata respektojnë fjalën dhe verdiktin e sovranit.
Hoti: LDK është parti e vjetër që ka kaluar shumë sfida pas luftës, kemi bartur barrën më të madhe për ndërtimin e institucioneve, të bashkëpunimit memiqtë ndërkombëtarë, mandej me shpalljen e pavarësisë. Ajo që ka ndodhur me LDK është profilizimi si një parti politike, jo më si një lëvizje popullore të viteve ’90.
Kemi pasur edhe sfida të brendshme, ish-kryeministri i Kosovës gjatë viteve ’90 u largua. Pastaj kryetari krijoi një parti më vete në 2006. Kanë dalë nga LDK figura të rëndësishme dhe me peshë, por kemi qëndruar si parti e qendrës së djathtë mirë. Nuk mund të kontestohet relevanca e LDK-së në skenën politike edhe në vitet që vijnë.
Në Podujevë kemi qeverisur për 30 vite. Është fjala e sovranit dhe e pranojmë verdiktin e tyre. Do të reflektojmë për të bërë lëvizjet e nevojshme për të kthyer besimin e qytetarëve.