Deputeti i AAK-së, Arbër Tolaj, ka thënë se projektligji i aprovuar sot për rimëkëmbje ekonomike më shumë është për qytetarët se sa për Qeverinë e Kosovës.
Ai tha se kjo ka qenë tejet e nevojshme sepse do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset private dhe se në kuadër të këtij ligji partia e tij ka dhënë një kontribut të çmuar, duke qenë se, siç u shpreh, janë aprovuar tre amandamente të propozuara nga AAK.
Sipas Tolajt, qëllimi i këtyre amandamenteve është që të nxitet prodhimi në sektorin privat, të ruhen vendet e punës dhe të kemi edhe punësime të reja.
Ndërsa sa i përket 10 përqindëshit që do të ndahet nga Trusti, deputeti tha se kjo është zgjidhja optimale sepse idealja kërkon kohë dhe procedura e procese tjera.
Ai po ashtu e ripërsëriti faktin që si Aleancë të parët e kanë nominuar Ramush Haradinajn si kandidat për postin e presidentit të vendit dhe se kanë qenë korrekt në lidhje me qëndrimin e tyre.
“Janë disa faktorë që mendoj se janë determinues dhe përcaktojnë edhe rëndësinë e kandidimit të Haradinajt për president dhe arsyeshmërinë pse ai duhet të përkrahet: faktori unifikues në vend, pastaj tre herë radhazi ka dëshmuar për pastërtinë e luftës së UÇK-së, pastaj si kryeministër i vendit ka marr disa vendime që asnjë qeveri e pasluftës nuk i ka ndërmarrë, siç është krijimi i ushtrisë, pavarësinë energjetike nga Serbia, ligjin e Trepçës dhe është një garancë kombëtare për stabilitet të vendit dhe rajonit”, deklaroi Tolaj.
Tolaj foli edhe rreth vaksinave antiCOVID-19, për të cilat tha se do ta ndërronin gjendjen e të gjithë globit në kuptimin pozitiv dhe i bëri thirrje publike të gjithëve që kanë mundësi që të mos hezitojnë dhe të vaksinohen sepse kjo, siç tha, do ta rris imunitetin.