Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi, ka reaguar pas publikimit të studimit nga Parlamenti Evropian, që thotë se dezinformatat kanë rrëzuar Qeverinë e Albin Kurtit.
Abazi ka thënë se PE-ja e konfirmoi atë që ishte e qartë se demokracia dhe rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit, ishte goditur me lajme të rreme dhe gënjeshtra.
Ai ka akuzuar mediat se paguhen nga fondet e vjedhura e të përvetësuara në mënyrë joligjore.
Abazi ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që ta lexojë këtë raport, dhe të bindet se është atakuar Kushtetuta dhe vullneti i sovranit, përcjell Bota sot.
Reagimi i tij në Facebook:
Edhe Parlamenti Evropian konfirmon atë që ishte e qartë që me gënjeshtra dhe lajme të rrejshme është goditur demokracia dhe rezultati i zgjedhjeve të 6 Tetorit. Gënjeshtrat e kombinuara e të prodhuara brenda sistemit që ka kapur shtetin dhe ka krijuar sistem kelptokratik, të korruptuar dhe kriminal, në bashkëveprim me mediat rozë dhe quazianalist që dalin të janë avokat e që paguhen nga fondet e vjedhura e të përvetësuara në mënyrë joligjore kanë shembur demokracinë dhe rendin kushtetues dhe kanë rrezikuar edhe integritetin dhe sovranitetin e vendit.
Gjykata Kushtetuese duhet ta lexojë seriozisht raportin e Parlamentit Evropian nëse ende nuk është bindur me faktet e prezantuara se si është atakuar kushtetuta dhe vullneti i sovranit i garantuar me kushtetutë të Republikës.