Jahjaga: Të rishikohet afati pesëvjeçar për aplikimin e të mbijetuarave të luftës

Aktuale

Jahjaga: Të rishikohet afati pesëvjeçar për aplikimin e të mbijetuarave të luftës

Më: 8 dhjetor 2020 Në ora: 12:41
Atifete Jahjaga

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në konferencën e organizuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, ka propozuar që të rishikohet afati prej 5 vitesh për njohjen e statusit të këtyre viktimave.

“E shoh të udhës që të rishikohet afati prej 5 vitesh për të aplikuar në statusin e të mbijetuarve, që është limit ligjor dhe kufizimi i këtij afati nuk po ndihmon në zbardhjen e e plotë të rasteve të dhunimit që kanë ndodhur gjatë luftës në vendin tonë dhe po i vendos të mbijetuarit në presionin e kohës”, deklaroi ajo.

Ajo theksoi se këto viktima po përballën edhe me sfidën e stigmatizimit nga shoqëria.

“Duhet të punojmë në largimin e stigmës dhe paragjykimet qe përballën të mbijetuarit. Ata po përballen nga pasiguria që i rrethon në shoqëri, mungesa e përkrahjes së familjes dhe frika se mund të paragjykohen nga komunitetet dhe nga rrethi i tyre”, tha më Jahjaga.

Ajo në fund tha se duhet të punohet më shumë me familjet e këtyre viktimave si dhe me shoqërinë në përgjithësi.

Në këtë konferencë për statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë duke marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si dhe panelistë të tjerë.

Bazuar në deklaratat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, gjatë luftës së fundit kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, në mënyrë që personave që përjetuan këto krime gjatë luftës, t’u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale, me çka u është mundësuar të marrin pensionin ligjor që arrin në vlerën prej rreth 230 euro në muaj.Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, deri tash ka pranuar 1,361 aplikacione për pension.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat