Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar rëndë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), derisa i ka quajtur zyrtarët e kësaj të fundit si “hajnat e klanit pronto”.
E kjo deklaratë e të parit të AAK-së nga analistët politikë po shihet se goditje përfundimtare e PDK-së karshi tij.
Analisti Fitim Salihu ka theksuar se pikërisht PDK-ja i ka dhënë goditjen e fundit kreut të AAK-së për t’u zgjidhur president i vendit.
“Deklarata e mbrëmshme e Ramush Haradinajt kundër PDK-së ia ka dhënë goditjen përfundimtare mundësisë se zgjedhjes së tij si president. Kur kësaj ia shton edhe deklarata e prera nga PDK-ja se nuk kanë vota për Haradinajn president, gjasat për një variant të këtillë zbehen akoma më shumë. Posaçërisht deklarata e tij për “hajnat e Prontos” e ka rrënuar çdo ure eventuale bashkëpunimi mes PDK-së dhe AAK-së”, thotë Salihu.
Mendim të njëjtë ka shprehur edhe analisti tjetër, Shemsi Jashari. Ky i fundit duke komentuar këtë deklaratë të ish-kreut të Qeverisë, ka thënë se ka qenë pikërisht PDK-ja, e cila sipas tij, që i ka mundësuar Haradinajt të bëhet kryeminisër.
“Qëndrimi i Haradinajt në një emision televiziv ka qenë paksa befasues dhe mendoj jo shumë i drejtë, kur hedhë akuza drejt ish partnerit të tij PDK-së, sepse ishte PDK ajo që e i mundësoi Haradinaj të bëhet kryeministër, duke e nominuar si kandidat me një marrëveshje parazgjedhore. Akuzat për hajni nuk janë të panjohura as për AAK-në, prandaj kur vinë nga një personalitet si Haradinaj, janë paksa të çuditshme. Deklarimi i PDK-së se nuk jap votë për kandidat tjetër përveç atij që ajo e propozon, jo domosdoshmërish duhet të shikohen si qëndrim kundër Haradinaj por si mbrojtje e interesit partiak të vetë PDK-së. Deklarimi i mbrëmshëm i .Haradinajt mendoj se e ka bërë të qartë se vendi do të shkojë në zgjedhje, pasi shihet se ai ka marr përgjigjen përfundimtare “JO” për ta marr mbështetjen e PDK-së për president. Retorika e përdorur nga Haradinaj, ngjan retorikës se fushatave zgjedhore ku zakonisht sulmohet PDK-ja, herë me të drejtë e shpesh edhe pa të drejtë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar mbërëm ashpër PDK-në.
“Këta që po thonë Ramushi le të na kthej borxhin, i kam nxjerrë nga opozita. Më ka sharë një Kosovë që jam bërë me hajnat e ‘Prontos’. I kam nxjerrë nga opozita dhe i kam pru në pushtet. Kur i kam pru në pushtet janë munduar çdo ditë të më rrëzojnë pasi që kam ngulur këmbë për njëfarë takse. Janë njerëzit e njëjtë që e kanë themeluar Gjykatën Speciale”, kishte thënë ai.