Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se vendimmarrja në PDK është e vështirë pa liderin e tyre.
Ai në Rubikon tregoi gjithashtu se AAK-ja ka pasur presion të vazhdueshëm që të hyjnë në koalicion me PDK-në, ndërsa për mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje tha se nuk e përjashton asnjë mundësi.
“Ne kemi dallime substanciale me LVV-në, jemi kundërshtarë politikë dhe jo armiq dhe nuk e përjashtojmë mundësinë e koalicionit parazgjedhor. Vijat e kuqe janë hequr shumë herët, e fjalët fyese, e akuzat janë zakonisht për poenë politik e për konsum, por nuk ka vija të kuqe me në mes subjektet politike,” tha Haradinaj.
Ai gjithashtu tha se AAK është në diskutime për zgjedhjen e presidentit, por mungesa e Kadri Veselit e ka vështirësuar bisedimet me PDK-në.
“Mungesa e Veselit nuk po e bën të mundur marrëveshjen për president. Kemi qenë shumë afër me ta për një zgjidhje. AAK nuk po bën shantazh aspak dhe ne jemi thjesht duke punuar që të arrijmë ta fitojmë besimin për zgjedhjen e presidentit”, tha Haradinaj.