Dështon rigjykimi ndaj Enver Sekiraqes për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës

Aktuale

Dështon rigjykimi ndaj Enver Sekiraqes për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 12:51
Pamje nga gjykimi

Ka dështuar të mbahet rigjykimi ndaj Enver Sekiraqes i cili po akuzohet për shtytje të vrasjes së ish-policit Triumf Riza.

Sekiraqa, në shtator 2019 ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, mirëpo në mars 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Shkak i dështimit të kësaj seance ishte mungesa e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Lutfi Shala, i cili sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Agim Kuqi, ishte në një seancë tjetër.Prezent në këtë seancë ishte prokurori special Haki Gecaj, i akuzuari Sekiraqa me mbrojtësen e tij, avokaten Kosovare Kelmendi, si dhe i dëmtuari Shefqet Riza, i cili ka deklaruar se nuk kishte angazhuar përfaqësues, pasi sipas tij të gjithë avokatët po frikësohen ta mbrojnë.“S’kam përfaqësues se po frigohen me ardh me mbrojt, kam kërkuar po po frikësohen, nja shtatë më kanë thënë jo”, ka thënë i dëmtuari Riza.Seanca e radhës pritet të mbahet me 12 janar 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqen për vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqes duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat