Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka reaguar Partisë Demokratike të Kosovës. Zyrtari i VV-së ka akuzuar PDK-në se po financon portalet në Kosovë, kryesisht me paranë publike.
Zogiani ka thënë se kjo skemë është ngritur në nivel mafioz, duke përmendur këtu edhe rastin e Telekomit të Kosovës.
Ai ka akuzuar poashtu PDK-në se UÇK-në, po e përdor si stresim, “sikur mafia italiane që dikur përdorte kishën si mbulojë”, përcjell Bota sot.
Reagimi i plotë i Zogianit në Facebook:
E vetmja përgjigje që PDK ka për situatën janë kamikazët e portaleve, të cilët po financohen kryesisht me paranë publike.
Për shembull, Telekomi nuk ka buxhet për pagat e punëtorëve, por ka para për portalet e partisë.
Kjo skemë është ngritur në nivel mafioz. Kamikazët sulmojnë këdo që nuk është në skemën e zhvatjes së parasë publike, me shpifje, me shantazhe...
Në sfond ata tashmë kanë vënë UÇK-në, të cilën e përdorin si strehim, sikur mafia italiane që dikur përdorte kishën si mbulojë.
Kjo skemë është katërcipërisht mafioze, por përgjithësisht mafia është rrëfim i shekullit 20.
Shqiptarët janë vonuar në këtë luftë, por është fundi i kësaj epoke, dhe kjo shihet pikërisht nga agresiviteti, me të cilin ata i drejtohen publikut!