Profesori universitar dhe analisti politik, Milazim Krasniqi ka thënë se zgjedhjet paralementare pritet të mbahen shpejt në vend, por se ato nuk do t’i zgjidhin problemet e grumbulluara të shoqerisë.
Krasniqi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, tha se shoqëria nuk e ka aftësinë e ndryshimit të vetës, as me anën e zgjedhjeve.
“Preokupimi kryesor i pjesës më të madhe të kësaj shoqërie, ende pa filluar fushata, është se cilët persona të fortë e arrogantë, bile edhe disa me prirje thjesht kriminale, do të dalin më të fortë nga zgjedhjet, e jo se si të largohen nga politika.”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka publikuar këtë shkrim më 23 gusht 2019, sidoqoftë, të njëjtin e ka ripostuar sot.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen shpejt, por ato nuk do të ofrojnë asnjë zgjidhje të problemeve të grumbulluara të shoqërisë sonë. Në këtë rast, nuk është faji i zgjedhjeve si të tilla, as vetëm faji i partive politike, po faji është edhe i vetë shoqërisë. Pse? Sepse kjo shoqëri nuk e ka aftësinë e ndryshimit të vetes, as me anën e zgjedhjeve. Kjo shoqëri nuk arrin t’i shfrytëzojë zgjedhjet për të hapur një mundësi më të mirë për veten e saj. Kjo shoqëri i shfrytëzon zgjedhjet, për të veshur me pushtet ata persona e ato grupe që e kanë sjellë në këtë derexhe të degradimit moral, kombëtar, fetar e gjithsesi edhe politik. Preokupimi kryesor i pjesës më të madhe të kësaj shoqërie, ende pa filluar fushata, është se cilët persona të fortë e arrogantë, bile edhe disa me prirje thjesht kriminale, do të dalin më të fortë nga zgjedhjet, e jo se si të largohen nga politika. (23 gusht 2019).