Demolli-Nimani: Të papërfillshme sukseset e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit

Aktuale

Demolli-Nimani: Të papërfillshme sukseset e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 17:08
Mexhide Demolli – Nimani

Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit nuk po e gjen Kosovën në një pozitë të mirë në luftën kundër kësaj dukurie negative. Në vend se Qeveria dhe institucionet tjera të numëronin sukseset në luftën kundër korrupsionit, këto të fundit janë në një nivel të papërfillshëm.

Kështu vlerëson drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli – Nimani, e cila në një intervistë për Kp thotë se të dhënat nga raportet kredibile kombëtare dhe ndërkombëtare, të cilat specifikojnë pjesë të korrupsionit, janë alarmante.

Ajo thekson se Lëvizja FOL kërkon rezultate të matshme dhe veprime konkrete në luftën kundër korrupsion, e jo fjalë boshe siç jemi mësuar të dëgjojmë zyrtarët shtetërorë.

Demolli- Nimani: Sukseset e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit janë të papërfillshme

“Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Kosovës do të duhej të ishte një ditë në të cilën do të numëroheshin sukseset, të cilat do t’i numëronin sukseset që institucionet tona i kanë treguar në luftën kundër korrupsion, mirëpo fatkeqësisht sukseset ndaj kësaj dukurie janë në një nivel të papërfillshme”, tha ajo.

Nimani thotë se sipas raportit të UNDP-së, qytetarët e Kosovës kanë renditur papunësinë, korrupsionin dhe varfërinë si tre problemet themelore me të cilat përballet Kosova aktualisht. Ajo flet edhe për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, për çka thotë se prokuroria dhe gjykatat nuk po ndërmarrin veprime të nevojshme në luftën kundër korrupsionit.

Demolli-Nimani: Prokuroria dhe gjykatat s’po ndërmarrin veprime në luftën kundër korrupsionit

“E kemi edhe raportin e vendit apo Raportin e Progresit për vitin 2020, ku tregon se Kosova ka bërë progres të kufizuar në ndjekjen e rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit. Andaj, edhe sa i përket sistemit gjyqësor, siç janë prokuroria dhe gjykatat nuk kanë ndërmarrë dhe nuk po ndërmarrin veprime të nevojshme që të dëshmojnë përkushtimin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Prandaj, FOL gjatë kësaj dite ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të tregojnë rezultate të matshme dhe veprime konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe jo fjalë boshe siç jemi mësuar të dëgjojmë deri sot. Me një fjalë e kemi pasur sot një moto: ‘Korrupsioni nuk është opsion’”, tha ajo.

Nimani thotë se janë organizatat joqeveritare të cilat ngritin përherë çështjen e korrupsionit, porse edhe këto të fundit nuk po mirëpriten.

Demolli-Nimani: Kur s’ka transparencë gjithmonë ka dyshime për korrupsion

“Kemi pasur edhe procesin e shpronësimit ku vetëm gjatë vitit 2019 kemi parë se janë shpenzuar mbi 244 milionë euro. Në anën tjetër, neve si FOL na mohohet qasja në dokumente publike sesi janë shpërndarë këto mjete sa i përket shpenzimeve. Përderisa mungon një transparencë, një llogaridhënie e institucioneve publike, gjithmonë do të ketë dyshime edhe për korrupsion. Prandaj, kjo do të duhej të ishte një ditë alarmi për të gjithë zyrtarët në sektorin e drejtësisë, në qeveri dhe në ministri tjera që të jenë më transparent”, shprehet ajo.

Nimani thotë se asnjëri nga ministrat e Ministrisë së Financave të Qeverisë Haradinaj, Kurti dhe Hoti nuk kanë qenë transparent dhe llogaridhënës, ndonëse FOL u është drejtuar disa herë me kërkesën për qasje në dokumente.

Demolli-Nimani: Tre ministra të tri partive politike s’kanë qenë transparentë gjatë këtij viti

“Janë ndërruar tre ministra në Ministrinë e Financave dhe ne nuk kemi pasur qasje të shohim se kush sa ka fituar nga procesi i shpronësimit në autostradën Prishtinë – Gjilan. Tri parti politike kanë qenë në atë ministri dhe asnjëra nuk ka qenë e interesuar që të ketë transparencë dhe llogaridhënie”, tha ajo.

Nisur nga gjendja aktuale për luftimin e korrupsionit, Nimani shprehet pesimiste se mund të ketë diçka konkrete në këtë aspekt në një periudhë prej një viti.

Demolli-Nimani: Nuk pres as vitin e ardhëm përmirësim

“Fatkeqësisht, nuk presim shumë. E kemi një agjenci që do të duhej të zbatojë dy ligje, Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo agjenci, fatkeqësisht tash dy vjet po bëhen, nuk është funksionale, sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar për asnjërin nga deputetët e intervistuar nga komisioni përkatës dhe si rrjedhojë kemi tentime të ndryshimit të ligjit dhe aktualisht nuk po shpallet konkursi i ri, për shkak se si duket edhe kjo pozitë do t’i jepet dikujt që e favorizon një ‘iks’ parti politike dhe kjo për ne është shqetësuese. Prandaj, nuk pres as vitin e ardhëm përmirësim”, tha ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat