Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj së bashku me anëtarin e Kryesisë, Elmi Reçica, kanë pritur sot në takim shefin e Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me të cilin kanë biseduar për Gjykatën Speciale dhe zhvillimet aktuale politike në vend.
Shef i Misionit Wiegemark, foli edhe për punën që bën EULEX në monitorimin e gjyqësorit në Kosovë.
Ndërsa, kryetari Hoxhaj deklaroi qasjen konstruktive të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila edhe pse në opozitë, është gjithmonë e gatshme që të jep kontributin në të mirë të shtetit dhe qytetarëve, siç ishte rasti i fundit me votimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.
Po ashtu, dialogu Kosovë - Serbi, si një proces i cili ka çaluar shumë vitin e fundit, ishte një tjetër temë e takimit, e për të cilën kryetari në detyrë i PDK-së kërkoi që Serbisë t'i bëhet më shumë presion mbi zbardhjen e fatit të të pagjeturve në Kosovë, trupat e të cilëve po zbulohen edhe sot e kësaj dite atje.