Albert Krasniqi: Vjosa Osmani po del që e menaxhoi më mirë Kuvendin sesa Kadri Veseli

Aktuale

Albert Krasniqi: Vjosa Osmani po del që e menaxhoi më mirë Kuvendin sesa Kadri Veseli

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 19:09
Vjosa Osmani

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka shpalosur disa të gjetura nga hulumtimi i OJQ-së Demokracia për Zhvillim që bëri krahasimin e dy legjislaturave të fundit të Kuvendit të Kosovës, e para që kishte kryetar Kadri Veselin dhe e dyta me Vjosa Osmanin.

Ai ka thënë se në disa çështje legjislatura e fundit ka pasë përmirësime në punën e bërë në Kuvend.

“Kemi parë disa përmirësime të lehta në këtë legjislaturë sa i përket menaxhimit të punës së Kuvendit që ka qenë më mirë e bërë nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në pjesën e parë të këtij viti sesa në legjislaturën e kaluar kur atëherë s’kishte seanca të rregullta, pra ato thirreshin jo në atë mënyrë siç e precizon rregullorja, çdo të enjte siç e thotë rregullorja, ishin grumbulluar shumë pika të rendit të ditës diku deri në 200 dhe barteshin nga një seancë në tjetër për shkak se deputetët nuk votonin për këto projektligje”.

“Në sesionin e parë të këtij viti kishte pasur një menaxhim më të mirë, ka pasë më pak pika të rendit të ditës dhe janë ftuar seanca që s’ka pasë nevojë për shumë vazhdime sesa që ka qenë në sesionin e kaluar. Megjithatë, tani po e shohim se në sesionin vjeshtor të Kuvendit po ngjan e njëjta. Janë diku 56 pika që presin në shqyrtim nga ana e Kuvendit që nuk kanë mundur të marrin vendim”.

Mungesa e kuorumit po i karakterizon të dyja legjislaturat për shkak se mazhorancat s’po e kanë shumicën e nevojshme për të votuar ato ligje që derivojnë nga planprogrami qeverisës, sipas Krasniqit

“Një regres i kësaj legjislature është efikasiteti ose produktiviteti në miratimin e ligjit. Pra, në gjithë këtë periudhë janë miratuar 10 ligje në sesionin pranveror përderisa legjislatura e kaluar ka miratuar 29 projektligje brenda sesionin të njëjtë”.

Krasniqi në Info Magazine e ka cilësuar si sukses të legjislaturës së kaluar miratimin e disa iniciativave që për shumë gjatë kanë pritur në sirtarët e Qeverisë.

Ai gjithashtu ka thënë se ndërrimi i qeverive ka afektuar edhe punën e Kuvendit të legjislaturës aktuale derisa shtoi se pati rënie të kualitetit të deputetëve meqë njerëzit më të votuar nuk janë pjesë e Kuvendit.

Problematike është edhe mungesa e Listës Serbe në seanca të Kuvendit si pjesë e koalicionit qeverisës, e cila e bojkoton punën për shkak të interesave të Qeverisë së Serbisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat