Analisti më i mirë shqiptar: Përtëritja e koalicionit LDK-LVV, është e domosdoshme

Aktuale

Analisti më i mirë shqiptar: Përtëritja e koalicionit LDK-LVV, është e domosdoshme

Nga: H.O. Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 19:58
Albin Kurti/ Isa Mustafa

Publicisti dhe opinionisti Idriz Zeqiraj, i cili vepron në Gjermani, ka komentuar mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet LDK-së e LVV-së. Sipas tij, një bashkëpunim ndërmjet të dyjave është e domosdoshme.

Sipas tij, ky bashkëpunim duhet të vij tani në këtë kohë që shteti është kapur nga ‘PAN-i kriminal’.

“Shkrimtari Maksim Gorki këshillonte se pas çdo zënke me ndokënd, lë vend për pajtim dhe miqësi të sërishme. Kjo vlen edhe për dy subjektet politike: LDK dhe LVV. Përtëritja e këtij koalicioni është kërkesë, domosdo e kohës. Shteti i Kosovës është kapur në çdo sferë shoqërore, madje, në çdo pore të jetës. Kjo kapje ka vetëm një autor: PAN-in kriminal”, thekson Zeqiraj.

Tutje, Zeqiraj thotë se ‘kundërshtarët politikë duan ta implikojnë edhe LDK-në, si kapse të shtetit’.

“ E vërteta është se edhe kur LDK-ja i prinë koalicionit dhe mendohet se ajo është e parë, në fakt, gjithëherë është në fund, bisht i partive të PAN-it! Sepse, institucionet, një nga një, rrjedhimisht, shteti në tërësi, është kapur qysh në nismë, nga "komandantët" mujëshorë dhe bandat e tyre kriminale. Realisht, LDK-ja, përkatësisht, klani brenda Kryesisë Qendrore, ka kapur e ngulfatur strukturat e partisë, anëtarësinë e saj, dikur numerike, tani, në tkurrje e sipër. Është shansi ideal që LDK-ja të dalë nga qorrsokaku, ku e ka futur klani aktual. Së pari, duhet ndryshuar statuti aktual i partisë, për t`u kthyer në statutin klasik rugovian”, thekson Zeqiraj.

Publictisti Idriz Zeqiraj thotë më tutje se ‘kamuflimet me, kinse, përshtatjen e statutit të LDK-së, me atë të PPE-së, është një falsifikim i madh, që i jep fuqi tej mbretërore kryetarit në qendër, për të vazhduar me kryetarët e partisë në bazë.

“Kur kryetari humb zgjedhjet në PPE, jep dorëheqje. Ndërsa kryetarët tanë, edhe pas humbjeve serike, nuk lëvizin nga karrika e kryetarllëkut! Është provuar se shqiptarët, për të sunduar në kohë të pakufizuar, krijojnë klanin. Dhe, klani punon për kryetarin, i cili, ndërkohë, bëhet i dhunshëm, urrehet nga anëtarësia. Por, strukturat selektive të kryetarit e mbrojnë, duke e votuar me aklamacion, tërësisht, të paligjshëm. Prandaj, kryetarit duhet t`i kufizohet mandati, së shumti në dy mandate. Dhe, nëse nuk ka përformancën e nevojshme, të shkarkohet në çdo kohë. Zgjedhjet e brendshme partiake, me parametrat e njohur të epokës rugoviane: debati i shpenguar, konkurrenca e ndershme, votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha nivelet e strukturave të LDK-së, duke filluar nga Nëndegët, Degët e, deri ke strukturat e partisë në qendër, i legjitimojnë kuadrot drejtues, të cilët, aktualisht, janë tërësisht jolegjitim, sepse nuk janë provuar me votën e elektoratit dhe aq më pak të popullit! Komisioni parapërgaditor i zgjedhjeve, të udhëhiqet nga njerëz me besueshmëri dhe integritetin e duhur”, vlerëson ai./Bota sot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat