Shefi i Kabinetit të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani – Faton Peci, ka thënë se mund të ketë forma të ndryshme bashkëpunimi në mes të “Fondacionit Walker” dhe Zyrës së Presidentit.
“Takimin e parë e kemi realizuar më 17 nëntor dhe dy javë më pas kemi hyrë në afate ligjore ku është dashur t’i njoftojmë se po shkojmë drejt përfundimit të kontratës. Kjo nuk do të thotë që Presidenca, ambasadori William Walker dhe “Fondacioni Walker” nuk do të shohin mundësinë e bashkëpunimit në forma të ndryshme në të ardhmen”.
Peci i vendosur ka thënë se nuk ka shkëputje të kontratës, por përfundim të saj.
“E vërteta është se nuk kemi shkëputje të kontratës. Përfundimi i kontratës dhe shkëputja e kontratës kanë dallim thelbësor që nga disa media po raportohet me tendencë. Me datën 17 unë, në cilësinë e shefit të stafit në presidencë, kam pritur në takim përfaqësuesin e “Fondacionit Walker” Hasan Salihu me të cilin kemi diskutuar për ecurinë dhe aktivitetet që janë realizuar në kuadër të kësaj kontrate. Për hir të korrektësisë, z.Salihu ka qenë fer dhe korrekt në krejt komunikimet që i kemi pasë”.
“Ne si presidencë kemi pasë parasysh edhe disa afate kohore për shkak që kontrata ka qenë gjashtëmujorshe dhe në një nga pikat e kontratës është paraparë që në një afat prej 30 ditësh pala duhet të njoftohet për mundësinë e vazhdimit të kontratës, ose jo. Kemi kërkuar nga Sekretari i Zyrës së Kuvendit të Presidencës që të kemi raportet e realizimit të kësaj kontrate dhe kushteve që janë të precizuara në kontratë, por nga ish-presidenca nuk na janë ofruar raportet e përmbushjes së kontratës”.
Peci ka thënë se Presidenca ka shprehur gatishmërinë që të shohë mundësitë për bashkëpunim edhe në të ardhmen me këtë fondacion, duke shtuar se ushtruesja e detyrës së presidentes ishte e gatshme që ta emërojë ish-ambasadorin William Walker si Emisar të Posaçëm.
“30 ditë para përfundimit të kontratës, ne i kemi dërguar me shkrim “Fondacionit Walker” një e-mail ku, mes tjerash, kemi deklaruar që “Zyra e Presidentit shpreh gatishmërinë që me ambasadorin Walker të mbetet në komunikim të mëtutjeshëm për të parë mundësinë e bashkëpunimit më të afërt dhe më konkret në të ardhmen”. Unë personalisht gjatë kësaj periudhe kam kontaktuar disa herë ushtruesen e detyrës së presidentes – e cila ishte e infektuar me COVID-19 në atë kohë – dhe ajo personalisht e ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që të kemi bashkëpunim me ish-ambasadorin Walker duke pasë parasysh peshën, rëndësinë dhe kontributin që ish-ambasadori ka dhënë për Kosovën dhe lirinë e saj. Për ta qartësuar më shumë te bashkëpunimi më konkret është aluduar se ushtruesja e detyrës së presidentes ka qenë e gatshme që të ofrojë edhe në nivel të emërimit si Emisar të Posaçëm ambasadorin amerikan”, ka thënë Peci.
Ai ka përsëritur se nuk ka pasë shkëputje të kontratës, por “Fondacioni Walker” vetëm është njoftuar për afatet ligjore ku, sipas tij, edhe i është kërkuar mundësia e bashkëpunimit të mëtutjeshëm. Peci ka thënë se nuk kanë marrë një përgjigje nga ky fondacion.