Kuvendi i Kosovës ia ka vazhduar mandatin edhe për tre muaj dhe buxhetin shtesë, Komisionit Hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.
Organi më i lartë legjislativ nuk kishte kuorum për t`u votuar rezolutën e Mimoza Kusari- Lila nga interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “KELKOS ENERGY” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se në këtë votim morën pjesë vetëm 21 deputetë.
Nagavci: Janë vetëm 21 vota për
“Atëherë konstatoj që janë vetëm 21 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Nuk ka vendimmarrje në këtë pikë, dhe do të hidhet përsëri në votim”, u shpreh ajo.
Kuorum nuk pati as për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftime, në këtë votim kanë marr pjesë vetëm 32 deputetë.
Nagavci: Nuk ka vendimmarrje as për këtë pikë
“Atëherë konstatoj që me vetëm 32 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim, nuk ka vendimmarrje as për këtë pikë”, ka shtuar Nagavci.