Ish-aktivisti i Vetëvendosjes, Arben Gecaj, tani zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë një paralajmërim për partinë e Isa Mustafës.
Ai është i mendimit se një betejë e rëndë e gjatë e brutale po e pret Lidhjen Demokratike të Kosovës, pas përplasjeve dhe deklaratave të fundit të ish-nënkryetares së LDK-së, Vjosa Osmani.
Këto komente Gecaj i ka bërë në profilin e tij, ku mes tjerave ka thënë se Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli e Gani Geci janë kolona e pestë duke transportu e transformu votuesin e LDK- së në kampin e VV- së.
Ja shkrimi i tij:
Një betejë e rëndë e gjatë e brutale po e pret LDK-në.
Vjosa, Haxhia e Gania, kolona e pestë duke transportu e transformuar votuesin e LDK- së në kampin e VV- së.
Një ndër projektet më interesante që kanë ndodh në politikën kosovare. Shembull se si e djathta kosovacentriste provon të transformohet në të majtën.
Ndryshe, Vjosa Osmani e cila ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit tha mbrëmë se është pikërisht ajo që përfaqëson votuesit e kësaj partie. Osmani doli e dyta në zgjedhje, pas Albin Kurtit
Osmani u shpreh se LDK nuk mbajti premtimet, dhe se e vetmja gjë e rëndësishme për lidershipin aktual të partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, është qëndrimi në pushtet.
“Kjo ka qenë zgjidhje e LDK’së apo logos që për momentin e kanë njerëzit që janë në lidership, por votuesin e LDK’së dihet që e përfaqësoj unë dhe po ashtu parimet mbi të cilat kemi garuar në zgjedhjet e fundit i përfaqësoj unë dhe shumë kolegë të mi, sepse ne kemi dalë dhe kemi garuar me një platformë të caktuar, me premtime të caktuara dhe që të gjitha ato fjalë që i kemi dhënë i kemi mbajtur. Të njëjtat qëndrime që i kam mbajtur para tetorit ato të njëjtat qëndroj edhe sot prandaj edhe me besim të plotë e them se e përfaqësoj votuesit e njëjtë”, tha Osmani për televizionin publik të Kosovës.