Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova ka reaguar pas deklaratës së ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pasi kjo e fundit ka thënë se kësaj partie, me të cilën ka qenë kandidate për kryeministre, siç ka thënë Osmani, i ka mbetur vetëm logoja.
Rugova ka thënë se kjo logo e Lidhjes Demokratike të Kosovës, siç ka potencuar Rugova, është dhe do të mbetet tepër e fortë.
“Logoja e LDK-së është e fortë edhe do mbetët kështu gjithmonë. Ato janë deklarata të saj dhe nuk dua t’i komentojë, por po them që logoja e LDK-së është dhe do të mbetet tepër e fortë”, ka thënë Rugova.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar bashkëpunimin me ish-partinë e saj, LDK-në, derisa ka vazhduar me akuza ndaj tyre.
Osmani në RTK i ka quajtur “përjashtues” LDK-në, teksa i ka akuzuar edhe për mbajtje të pushtetit me zor. Ka thënë se kësaj partie i ka mbetur vetëm logoja, ndërkohë që ka shtuar se votuesit i përfaqëson ajo.
“Nuk do të bashkëpunojë me parti që kanë kontribuar për kapjen e shtetit dhe që kanë ndihmuar të qëndrojnë në pushtet kapësit e shteti”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka folur edhe lidhur me një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, duke thënë se mbetet të shihet nëse do ndodh një gjë e tillë.
“Ne për momentin jemi në diskutime me Vetëvendosjen por nuk është që kemi folur akoma konkret. Këto janë çështje që negociohen dhe në fund ta shohim rezultatin”, ka thënë ajo.