Pas një kohe, tani qytetarët e Kosovës do të mund të pajisen me letërnjoftim.
Kështu bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil nëpërmjet një komunikate për media.
“Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Republikës së Kosovës përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se tashmë ka filluar prodhimi dhe pajisja e qytetarëve me letërnjoftim të Republikës së Kosovës. Të gjitha rastet të cilat kanë qenë në pritje për procedim, tashmë janë kryer dhe janë shpërndarë nëpër qendrat e tyre përkatëse si dhe në misionet konsullore/diplomatike”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq, nga ministria kanë kërkuar falje të gjithë qytetarëve që gjatë kësaj periudhe kohore nuk kanë arritur të pajisen me letërnjoftim sipas procedurave të parapara.