Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lirije Kajtazi i ka cilësuar si të gabueshme kërcënimet nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, që në s’i jepet posti i presidenti, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Në një bisedë, Kajtazi ka thënë se në rast se nuk ka dakordim për çështjet që kanë “lëkundur” koalicionin qeverisës, atëherë zgjedhjet sipas Kajtazit, janë e vetmja zgjidhje.
“Zgjedhjet s’janë kërcënim, janë një mundësi për me nxjerr alternativa në raste kur dështojnë mundësitë tjera, ato janë varianti i fundit. Çdokush që kërcënon gabon, për arsye se mund të jetë episodik, e politika s’është episodike. Duke iu dashtë me iu garantua stabilitet institucioneve tona, LDK-së dhe çdo subjekt tjetër politik duhet me i interesu që çdo mandat me konsumu deri në fund me format legjitime të arritjeve qoftë marrëveshjeve dhe mundësive tjera demokratike. Por në rast se këto dështojnë, atëherë varianti i zgjedhjeve është ai i cili i zgjedh të gjitha këto çështje”, ka thënë Kajtazi.
Kajtazi, duke komentuar edhe sondazhet nga ku është “thënë se ka pësuar rënie, ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje sikurse edhe partitë tjera.
“Nëse të tjerët s’janë të gatshëm për zgjidhjen e këtyre çështjeve, LDK është e gatshme si të tjerat që të shkojë në zgjedhje. Nuk është se po dëgjojmë për herë të parë, shumë herë i kemi dëgjuar këto sondazhe, por LDK-ja ka ecë dhe i ka prirë vendit në kohët më të vështira”, ka thënë ajo.
Kajtazi ka komentuar edhe kërcënimet e të parit të AAK-së, Ramush Haradinajt që po kërkon me ngulm pozitën e të parit të shtetit.
“LDK-ja s’e voton asnjë kandidat për president pa marrëveshje, nuk është emër që i garanton 80 votë-shin, që është e nevojshme, dhe çdo emër që mundet citu këtë shifër mund të jetë një njeri që i garanton një shumicë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), s’e ka ndërmend të heqë dorë nga posti i presidentit.
Kështu ka deklaruar edhe deputeti i kësaj partie, Shkumbin Demalijaj.
“Ne një kandidaturë e kemi në tavolinë, ende nuk janë mbledhë 30 nënshkrime, Aleanca e ka kandidatin e vet për president. Po presim që të vjen një përkrahje më e madhe dhe të e mbyllim këtë problem. Zgjedhjet dihet, janë kushtetuese, është në ligjin mbi zgjedhjet. Nëse nuk zgjidhet presidenti brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërbëhet“, ka thënë Demaliaj.
Edhe kreu i kësaj i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nëse s’ka zgjidhje që të emëruar në krye të shtetit, vendi siç ka potencuar ai, do të shkojë në zgjedhje.