Është dita e 5-të e aplikimit.
E në katër të parat, ueb-faqja që lansoi Trusti për tërheqjen e 10 % është “bombarduar” nga kërkesat e qytetarëve.
Mbi 300 mijë të tilla u parashtruan nga kontributpaguesit.
“Deri më tani janë më shumë se treqind e tridhjetë mijë aplikues, pra në katër ditët e para. Fluksi vazhdon të jetë i lartë”, u shpreh Jeton Demi, zëdhënës në Trust.
Paratë, atyre që aplikuan, pritet t`u dalin në bankë brenda dy javësh.
Megjithatë Jeton Demi, zëdhënës në Trust nuk e përjashton mundësinë që ekzekutimi i tyre të zgjasë edhe pak më shumë.
“Ne e kemi vendos një afat dy javor nëse gjithçka shkon mirë. Por, për çështjen e pagesave do të na duhen edhe disa ditë. Të shohim procesi si po shkon. Ka punë për t`u trajtuar”, theksoi ai.
Afati për aplikim do të jetë i hapur për katër muaj deri më 6 prill të vitit 2021.
Nga Trusti u zotuan se gjatë kësaj kohe do të trajtojnë çdo ankesë për parregullsi që vjen në adresë të tyre.