Zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj ishte i ftuar sot në emisionin Frontal.
Sipas tij është e befasishme që Vjosa Osmani pas tërë asaj përkrahje që kishte në LDK, bashkëpunoi me subjekte të tjera kundër kësaj partie.
“Si ka mundësi ajo që e ka mbështetjen e të madh e të vogël në LDK e nga mëngjesi deri në mbrëmje e mbështet Albin Kurtin e Vetëvendosjen. Kjo na bën me mendu që ajo ka punuar me Albin Kurtin për ta dëmtuar LDK-në”, ka thënë më tutje ai.
Ai poashtu pohoi se ka dyshime që Osmani ka punuar kundër LDK-së edhe gjatë fushatës zgjedhore kur ajo kandidonte për kryeministre.
“Kam dyshime që ka punuar kundër LDK-së edhe gjatë zgjedhjeve. Janë disa detaje. E shoh që tani energjia e saj është shumë më e madhe sesa që ka qenë në atë kohë”, ka thënë ai.
Madje sipas Zefajt, Osmani është duke e ndjekur strategjinë e Mimoza Kusari-Lilës.
“Siç po e shohim ajo parti nuk do të krijojë sepse e dinë që nuk është në gjendje që të krijojë parti me atë qasje autokratike e ka të vështirë që ta menaxhojë një parti. Është një strategji e përsosur e Mimoza Kusarit”, ka thënë zyrtari i LDK-së.
“Besoj që me largimin e saj gjendja në LDK do të qetësohet. Patjetër se ajo në disa takime me muaj të tërë vetëm emri i Vjosës është në tavolinë dhe vetëm për atë komentohet. Është energji e humbur”, ka thënë më tutje ai.