Në mbledhjen e sotme, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka aprovuar planin e biznesit për vitin 2021/2023.
Në njoftim thuhet se shkak i gjendjes së rëndë financiare shpenzimet e stafit janë reduktuar nga 6% deri në 30 %. Madje në këtë komunikatë thuhet edhe se nga planifikimi i reduktimit të shpenzime të stafit Posta e Kosovës ka kursyer rreth 300 mijë euro vjetore.
“Sot në mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të Postës së Kosovës, është aprovuar Plani i Biznesit për vitin 2021-2023. Vlen të theksohet se, për shkak të gjendjes së rëndë financiare dhe pa mundësisë së arkëtimit në Biznes Planin e aprovuar sot nga Bordi, janë harmonizuar pagat e gradave nga 17 deri 8, ndërsa shpenzimet e stafit janë reduktuar nga 6% deri në 30%. Nga ky planifikim i reduktimit të shpenzimeve të stafit, Posta e Kosovës ka kursyer rreth 300 mijë euro vjetore”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu thuhet edhe se “Bordi ka vlerësuar se kjo është një masë e domosdoshme por përkohshme deri në tejkalimin e situatës së pandemisë, ndërsa harmonizim i gradave do të rishikohet kohë pas kohe, varësisht nga përmirësimi i gjendjes do të vlerësohen gradat e Menaxhmentit të Lartë dhe të Mesëm, duke pasur parasysh ngritjen e të hyrave dhe forcën e likuiditetit”
Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve, ka kërkuar motivim shtesë nga Menaxhmenti për të ngritur të hyrat dhe përmirësuar rezultatin financiar të Postës së Kosovës.