Pas homazheve në memorialin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në Lezhë, presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, mbërriti pasditen e sotme në Tiranë ku u prit në një ceremoni shtetërore nga homologu i saj shqiptar Ilir Meta.
Para nisjes së takimit në Presidencë, Osmani i dorëzoi Metës një dhuratë nga gratë, viktima të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë.
“Kjo është një dhuratë nga gratë e Kosovës që ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, por mbi të gjitha janë të mbijetuara të asaj dhune dhe sot dhimbjen e tyre e kanë shndërruar në guxim dhe shpresoj shumë që do të gjej vend për ta treguar historinë dhe dhimbjen e Kosovës edhe në zyrën tuaj.”
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Shqipëri ajo do të takohet me presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe ish kryeministrin Sali Berisha.