Pas rastit të mbrëmshëm tragjik, ku humbën jetën babë e vijë, në familjen Mazreku e cila jeton në rrugën " Aliriza Selmani" në Prizren, është hapur e pame, ku të afërm dhe miq po ngushëllojnë familjarët.
I tronditur me rastin, nipi i policit të vdekur, Mërgimi, thotë se sipas informacioneve që i kanë dhënë familjarët, xhaxhai i tij në momentin kritik deri sa ishte duke u përgatitur për të vajtur në punë, duke e bërë gati armën, ajo papritmas ka shkrepur në drejtim të vajzës së tij e cila ishte duke mbushur ujë, duke e goditur atë direkt në kokë. Duke e parë se kishte vrarë të bijën, xhaxhai më pas qëllon dhe veten, tregon Mërgimi.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes ka qenë e pranishme bashkëshortja e të ndjerit bashkë me katër fëmijë të tjerë, ndërsa thotë se në familje nuk kanë pasur ngatërresa asnjëherë.
Mazreku, thotë në fund se xhaxhai i tij ka qenë një njeri shembullor dhe se ai e ka patur atë si baba të dytë.
Sipas familjarëve, varrimi i viktimave pritet të bëhet ditën e enjte, pasi trupa e pa jetë të S. M dhe L. M ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.