(E plotësuar 13:01) - Lëvizja Vetëvendosje do të pamundësojë mbajtjen e çdo seance të Kuvendit të Kosovës, derisa i pranishëm është zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.
Pasi ndërprenë seancën e sotme, ku i pranishëm ishte Selmanaj, ushtruesi i detyrës së shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Liburn Aliu, tha se zëvendëskryeministri nuk do të mundet të jetë në seancë të Kuvendit, pasi janë të prerë në reagimin kundërshtues ndaj tij.
Aliu: Selmanaj nuk duhet të jetë në Kuvend, e nuk do të mundet
“Selmanaj nuk duhet të jetë në Kuvend, nuk duhet të jetë, e nuk mundet pasi për vendin tonë dhe vlerat e tij janë disa vija të kuqe të cilat nuk tejkalohen. Reagimi ynë Kuvend është paqësor dhe brenda kushteve që kemi. Është e qartë se këta po abuzojnë me pandeminë pasi e dina se shumë mirë se njëjtë sikur me Jabllanoviqin do të kishte reagim qytetar. Kuvendi duhet të vazhdojë punën, Hoti duhet ët vijë të ballafaqohet për Ujmanin. Mos të fshihet pas Driton Selmanajt dhe situatës të krijuar me të...për sa të është Selmanaj në sallë do të ketë reagim të tillë nga GP i LVV-së, kjo punë është e qartë dhe e prerë”, tha ai.
Aliu përmes një konference për medie kritikoi kryeministrin Avdullah Hoti se po përdorë vartësin e tij për t’iu shmangur ballafaqimit me partinë e tij.
Aliu: Prezenca e Selmanajt sot është provokim me vetëdije
“Ne e kemi shpreh qëndrimin tonë se Driton Selmanaj është i padëshirueshëm në sallën e Kuvendit, që lidhet me deklaratat për të pagjeturit. Selmanaj konsideron se çështja e të pagjeturve është ezauruar, madje ka ofenduar se është lodhur për këtë çështje. LDK dhe grupi parlamentar edhe qeveria e dinë këtë gjë, pasi këtë e kemi thënë hapur. Prandaj prezenca e tij sot është provokim me vetëdije, pasi ata e kanë pas parasysh reagimin tonë të deklaruar më herët. Ardhja e Driton Selmanajt është bërë për faktin e eviditimit të ballafaqimit të qeverisë me krizën e krijuar”, tha ai.
Derisa tha se qeveria Hoti është një qeveri e pakicës, që po dështon në numra dhe shumëçka tjetër.
Aliu: Ata po duan të shmangen nga ballafaqimi me ne, duke përdorur Selmanajn
“E ashtuquajtura shumicë i ka vetëm 34 vota sot. Ishim shumë më pak se sa 80 deputetë prezentë, e qeveria pothuajse asnjëherë nuk është prezente. Ata po dështojnë me numra në Kuvend, apo po dështojnë të sjellin ligje. Po dështojnë e dëmtojnë vendin me qeverisje të dobët... tani po duan të fshihen me situatën e krijuar për të cilën do të ishin të vetëdijshëm se do ët kritikohet. Sot është interpelanca për Ujmanin, sot pritet që Hoti të ballafaqohet me shpërfaqjen që ia ka bërë vendit tonë duke pranuar Serbinë si hisedarë të Ujmanmit, ata po duan të shmangen nga ballafaqimi duke përdorur ballafaqimin tonë për Selmanaj”, deklaroi ai.
Ky reagim kundërshtues i LVV-së për zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj është si pasojë e disa deklaratave të këtij të fundit për të pagjeturit.
***
Ushtruesi i detyrës së shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka mbajtur një konferencë për media ku ka thënë se zëvendëskryeministri Driton Selmanaj nuk do të mund të jetë i pranishëm në seancat e Kuvendit.
“Ai nuk duhet të jetë dhe nuk mund të jetë në seancat e Kuvendit. Nëse ai vie, ata e dijnë reagimin tonë. Ne do të qëndrojmë aty dhe do ta pamundësojmë mbajtjen e seancës”, ka thënë Aliu.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Avdullah Hoti që të vie në seancën e Kuvendit që do të fillojë nga ora 14:00 në interpelancën për Ujmanin.
“Hoti nuk duhet të fshihet pas Driton Selmanajt por duhet të vijë në Kuvend dhe të raportojë për Ujmanin. Ne presim që të vijë Avdullah Hoti dhe të mos vijë fare Driton Selamanaj”, ka thënë ai.