Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se hajdutët po e shfrytëzojnë situatën me pandeminë dhe orën policore që të grabisin bankat.
Mushkolaj, përmes ‘Facebook’-ut, ka thënë se një gjë e tillë po ua shton pasigurinë qytetarëve, teka ka shtruar pyetjen “a ka kush që i ndal?”.
“Sot në mëngjes hajnat plagosën një polic, teksa po përpiqeshin ta plaçkitin një bankë në Prishtinë. Në mbrëmje u krye një plaçkitje tjetër. Vjedhje të shumta po raportohen çdo ditë nëpër Kosovë. Hajnat po e shfrytëzojnë situatën me pandeminë dhe orën policore, duke e shtuar pasigurinë për qytetarët dhe duke rrezikuar jetë njerëzish. A ka kush që i ndal?”, ka shkruar Mushkolaj në ‘Facebook’-un e tij.
Pak përpara orës policore, dy persona të armatosur përgjatë ditës së sotme grabitën filialin e Western Unionit në Prishtinë. Një gjë të tillë e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
“Rreth ores 18:35 është marr një informatë se në Rr. “Eqrem Qabej” në filialin e një institucioni mikrofinanciar ka ndodhur një grabitje, ku dyshohet se grabitësit nën kercenimin e armes kanë arritur të marrin nga arka monedha të imta”, është thënë në komunikatën e Hoxhës.
Në po të njëjtën ditë, në orët e mëngjesit është tentuar të vjedhet filiali i BKT’së në Veternik, ku gjatë tentimit policia ka dalë në vendin e ngjarjes.
Pas shkëmbimit me armë zjarri ndërmjet zyrtarëve policorë dhe hajdutëve, njëri nga policët ka mbetur i plagosur.