Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa, ka dhënë detaje për procesin gjyqësor ndaj ministrit serb Aleksandër Vulin për përdorimin e termit “shiptari”.
“Në qershor të 2019-s kam ngritur padi ndaj Vulinit për përdorim të gjuhës së urrejtjes sepse përdori termin ‘shiptari’ ndaj shqiptarëve. Kam pas paralajmëruar se do të ngre padi nëse e përsërit dhe më pas vazhdoi duke thënë se e ka për kompliment. S’guxon të institucionalizohet gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Padrejtësia është padrejtësi. Ka një numër të madh mediash që përdorin këtë fjalë për të përçmuar shqiptarët, por është e patolerueshme që një ministër që ishte i Mbrojtjes e tash i Punëve të Brendhsme të përdorë këtë gjuhë”, ka thënë ai. “Në dy seancat e përcaktuara për ballafaqim mes meje dhe atij ai nuk ka guxuar të marrë pjesë. Ka bërë arsyetime të cilat janë të pajustifikueshme”.
Duke folur për padinë e ngritur ndaj tij për ngritjen e flamurit më 28 nëntor, Mustafa ka thënë se akuzohet për “përdorim të paligjshëm dhe përçmim të himnit e flamurit të Serbisë”.