Gjatë orarit të punës, tre infermierë janë sulmuar në Prizren. Për këtë, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi në Facebook, e ka dënuar sulmimin ndaj personelit mjekësor, duke i ftuar organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve.
Postimi i plotë:
Ngjarja e mbrëmshme në Urgjencën e Spitalit të Prizrenit, ku familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë është gjest i shëmtuar ndaj atyre që punojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i kanë sulmuar.
Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme.
E dënoj këtë sulm dhe çdo sjellje të pa dinjitetshme, e cila rrezikon integritetin fizik të personelit mjekësor. I ftoj organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt.