Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, duket se më çdo kusht dëshiron t’i shmang takimet me punonjësit e tjerë të kësaj Ministrie.
Që të mos ndeshet me askënd, ajo e ka përvetësuar njërin nga dy ashensorët e ndërtesës së MPJD-së të cilin e përdorë vetëm ajo.
Punëtorë të kësaj Ministrie kanë treguar se objekti i ka dy ashensorë gjithsej dhe se njërin nuk guxon ta përdorë askush tjetër veç saj, madje as zëvendësministrat.
Ky veprim i ministres Haradinaj Stublla, siç ka mësuar Gazeta, po i detyron punonjësit e MPJD’së që shumicën e rasteve të ngjiten shkalleve në ndërtesën 11 katëshe, për shkak të tollovisë që krijohet për t’u ngjitur me ashensorin e vetëm që është lejuar për përdorim nga mbi 200 punonjësit e Ministrisë.
Nuk dihet nëse ky përvetësim që i ka bërë ministrja ashensorit po bëhet si preventivë kundër COVID-19, apo për ndonjë arsye tjetër.
Kjo pasi Zyra për Informim e kësaj Ministrie, sikur për shumë çështje tjera nuk ka kthyer përgjigje as për këtë teke të ministres Haradinaj-Stublla.
Reporteri mëson se Haradinaj i ka kufizuar në maksimum edhe kontaktet me zyrtarët e ministrisë që ajo drejton. Me ministren, sipas punonjësve të kësaj ministrie, mund të kontaktojnë drejtpërdrejt vetëm kabineti i saj.