Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban takimin e fundit për këtë vit

Aktuale

Këshilli Gjyqësor i Kosovës mban takimin e fundit për këtë vit

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 16:41
Pamje nga takimi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka mbajtur sot takimin e fundit për këtë vit, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Anëtarët e KGjK-së, në mbledhjen virtuale për shkak të masave antiCOVID-19, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme - SKGjK, për pensionimin e një gjyqtari në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe morën vendim për hyrjen në vlerësimin e performancës së gjyqtarëve për vitin 2021.

Gjatë këtij takimi, u shqyrtua kërkesa e kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Armend Berisha, lidhur me kthimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila është transferuar përkohësisht në Gjykatën Themelore Prishtinë, ku Këshilli do të kërkojë edhe pëlqimin/mendimin e gjyqtares Nushe Kuka Mekaj për këtë çështje.

Po ashtu, Këshilli shqyrtoi dhe aprovoi draft Memorandumin e bashkëpunimit në mes të KGjK-së Fakultetit Juridik të Universitetit Publik të Mitrovicës si dhe propozimin e kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës (OMK), për emërimin e përfaqësuesit të KGjK-së në Gjyqin e Nderit të OMK-së, gjyqtaren, Halide Reka.

KGjK në këtë takim, shqyrtoi ankesën e gjyqtares Liridona Haziri në Gjykatën Themelore Gjilan dhe lidhur me ketë, anëtarët u pajtuan që çështja t’i kthehet kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan për rishqyrtim.

Në bazë të kërkesës së Kuvendit të Kosovës për caktimin e tre anëtarëve të Organit Përzgjedhës të Pavarur, Këshilli caktoi gjyqtarët Shukri Sulejmani, gjyqtar në Gjykatën Supreme dhe Milena Xheriq, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, dhe Luljeta Maxhuni, gjyqtare në Gjykatën Themelore Prishtinë, të cilët do të emërohen nga Kuvendi për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar dhe anëtarë të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamentin Special, gjyqtarët Lutfi Shala, Mentor Bajraktari, Vesel Ismajli, Suzana Çerkini, Kujtim Krasniqi dhe Violeta Namani. Për Gjykatën e Apelit - Departamenti Special janë caktuar: Afërdita Bytyçi, Bashkim Hyseni dhe Tomislav Petroviq.

Meqë kryetarët e gjykatave Afërdita Bytyçi dhe Bashkim Hyseni tani më janë caktuar në Departamentin Special, Këshilli ka caktuar gjyqtarin Arben Hoti, ushtrues detyre i kryetarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë si dhe gjyqtarin Sahit Krasniqi, u.d. i kryetarit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. Për Gjykatën e Apelit janë caktuar gjyqtarët: Zyhdi Haziqi, Beqir Kalludra dhe Azra Cakolli. Të gjithë këta gjyqtarë do të fillojnë punën më datë 01.01.2021, thuhet në një komunikatë për media.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat